PEN-i Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar

Dialog imagjinar me gjuhën shqipe

Ishte privilegj për mua të marr pjesë në këtë orë letrare, të organizuar nga PEN, nën kujdesin e kryetarit të deritanishëm, Abedin Bajraktari, i cili këtë post ia kaloi z. Sami Islami, një njohës i denjë i gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe ish-udhëheqës i programit për gjuhën shqipe në RTP, në një periudhë të vështirë para luftës.
Një privilegj shtesë për mua ishte fakti që z. Sami Islami më besoi leximin e një teksti të përgatitur nga vetë ai, i cili titullohej “Dialog imagjinar me gjuhën shqipe”.
Në këtë tekst, Samiu kishte filluar një dialog me gjuhën shqipe, të cilën, përmes kujdesit të tij në të shprehur dhe në të shkruar, e kishte kthyer në një personazh. Ajo shprehte dhimbjen, xhelozinë, inatin dhe dëshpërimin për faktin pse është e anashkaluar nga shqiptarët, sidomos nga intelektualët, gazetarët dhe politikanët, të cilët përdorin shprehje të huaja për t’u dukur më modernë apo më të rëndësishëm, ndonëse të gjitha ato shprehje ekzistojnë në gjuhën tonë shqipe.
Gjatë këtij takimi patëm rastin të dëgjojmë disa poezi dhe të diskutojmë çështje që e shqetësojnë shoqërinë tonë, si përdorimi i gjuhëve të huaja në komunikim me anëtarët e familjes, sidomos me fëmijët. Në këtë kontekst, u theksua se shtëpia është vendi më i mirë për të ruajtur gjuhën tonë dhe për të mbrojtur identitetin kombëtar, duke i dhënë një rëndësi të veçantë gjuhës shqipe.
Përshtypje të veçantë lanë edhe disa nga të pranishmit, të cilët, ndonëse nuk kanë profesion të lidhur me gjuhën apo letërsinë, e duan poezinë aq shumë sa shkruajnë vargje, disa prej të cilave edhe i lexuan apo i recituan.
Është për t’u falënderuar edhe Besnik Sahatçiu dhe stafi i “Queens Arms”, të cilët po mundësojnë dhe po japin hapësirë për aktivitete të tilla pa asnjë kompensim, vetëm e vetëm për të përkrahur komunitetin shqiptar, në këtë rast edhe PEN-in shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Uroj që organizime të tilla të gjejnë mbështetje edhe më të madhe, në mënyrë që të zhvillohen sa më shumë aktivitete që bashkojnë dashamirët e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe që motivojnë të rinjtë. Përveç studimeve profesionale, është kënaqësi që shumica e të rinjve shqiptarë janë të orientuar mirë dhe të suksesshëm, por njëkohësisht është e rëndësishme që gjuha shqipe të trashëgohet dhe të përcillet edhe te brezat e ardhshëm.
Në fund, falënderime të përzemërta për të gjithë ata që morën pjesë, për ata që i përkushtohen shkrimit në gjuhën shqipe dhe, natyrisht, për organizatorët që janë gjithmonë mikpritës.
Zoti ju bekoftë!
Zoti e bekoftë gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët!